Project Corner Prezantime

Projekti “E-Konsullata dhe Shërbimi Konsullor Online” u prezantua nga Zëvendës Ministri i MPJ,  Halil Hyseni. Në prezantimin e tij, Zv/Ministri Hyseni theksoi se një nga prioritetet kryesore të MPJ-së është lehtësimi i shërbimeve për publikun, ndaj ai bëri një ekspoze të dy platformave të suskseshme E-Konsullata dhe Sërbimi Konsullor Online (SHKO), të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë në lehtësimin e procedurave konsullore për shtetasit shqiptarë. Në prezantimin e tij, z. Hyseni pohoi se SHKO sjell dixhitalizimin konsullor duke standardizuar formatet dhe dokumentet, rrit transparencën dhe cilësinë e shërbimeve ndërsa ul dhe shkurton tarifat, kohën dhe procedurat për qytetarët shqiptar kudo që ata ndodhën. Gjithashtu, me këtë risi, Ministria e Punëve të Jashtme është në monitorim të drejtpërdrejtë të shërbimeve që u ofrohen qytetarëve, mbikqyr veprimet e Konsujve në përfaqësitë e RSH-së në botë, ndërsa garanton shërbimin për qytetarët me anë të ndërveprimit dhe komunikimit në kohë reale.

Projekti “Strategjia për Diplomacinë Publike dhe Diasporën” u prezantua nga Avdyl Lipoveci, Drejtor i Departamentit për Ruajtjen e Identitetit në Ministrinë e Diasporës në Kosovë. Ai theksoi se Ministria e tij në kuadër të mbështetjes së investimeve, ka kryer disa hulumtime për rrjetëzimin e bizneseve, ka hapur zyra koordinimi dhe panaire, si dhe është krijuar baza e të dhënave për bizneset. Gjithashtu, së bashku me Republikën e Shqipërisë janë hapur 3000 vende për praktikë,  shkolla verore, vende pune në institucionet qëndrore dhe lokale si dhe kampe për të rinj ku më shumë se 500 të rinj kanë marrë pjesë. Përveç këtyre, ai bëri me dije se në të ardhmen synohet rrjetizimi i profesionistëve, ri-integrimi i Diasporës së kthyer si dhe ruajtja e gjuhës dhe kulturës.

Projekti “Dialog i Strukturuar mes Diasporës dhe Institucioneve”, i prezantuar nga  Liza Gashi, themeluese e rrjetit Germin, e cila vuri theksin mbi qëllimet dhe arritjet e këtij rrjeti në shërbim të Diasporës. Sipas saj, ky rrjet ka si qëllim të krijojë një rrjet të strukturuar të anëtarëve të Diasporës që janë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre shoqërore dhe politike, të krijojë mekanizma për përfshirjen e Diasporës në proceset politikëbërëse si dhe të fuqizojë anëtarët e Diasporës për të marrë pjesë në këto procese. Në këtë linjë, rrjeti Germin organizon Grupe të Diasporës për Avokim, konferenca dhe nxjerr publikime.

“Studimi i CID/Harvard mbi investimet” u prezantua nga Ermal Frashëri, përgaqësues  i Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar në Universitetin e Harvard-it, i cili bëri një ekspoze të një studimi të Harvard-it mbi shqiptarët e Amerikës. Ndër të tjera, ai bëri një përmbledhje të vlerësimit social të shqiptarëve në SHBA, ndërsa theksoi se ky sukses i shqiptarëve aty duhet të shfrytëzohet me strategji konkrete dhe angazhimin e institucioneve qendrore. Sipas studimit të prezentuar, shqiptarët e SHBA-ve janë të lidhur ngushtësisht me kombin shqiptar, një pjesë shumë e madhe janë të gatshëm të angazhohen vullnetarisht për projekte për Diasporën shqiptare dhe një pjesë e mirë e atyre janë të gatshëm për të investuar në Shqipëri nëse i sigurohet një ambjent më i sigurt dhe i qendrueshëm për investimin e tyre.

“Projekt-Dokumenti Kuadër mbi Angazhimin e Diasporës në Zhvillimin e Vendit”, projekt i përbashkët i MPJ me Organizatën Ndërkombëtare të Migracionit, u prezantua nga Drejtori i Përgjithshëm i Çështjeve Politike dhe Strategjike në MPJ, z. Ferit Hoxha dhe përfaqësuesja e IOM-t në Shqipëri, znj. Alma Jani, të cilët bënë një përmbledhje të dokumentit dhe objektivave kryesorë në mbështetje të strukturimit të angazhimit të diasporës në zhvillimin e vendit. Më specifikisht, Shqipëria në bashkëpunim me IOM-në ka hartuar Dokumentin Politik Kuadër për angazhimin e komuniteteve shqiptare jashtë vendit për zhvillimin e Shqipërisë. Qëllimi i këtij Dokumenti është që pas studimit të Diasporës shqiptare dhe gatishmërisë për të kontribuuar konkretisht në Shqipëri, me mbështetje nga donatorë, nisma relevante të realizohen për transferimin e aftësive dhe njohurive, mbështetjen për të rinjtë në hapje biznesesh, investimin në distancë dhe rritje kapacitetesh të strukturave të qeverisë.

Aplikacioni  “Infostranieri”, u prezantua nga Bashkim Sejdiu, përfaqësues i Diasporës nga Presheva me banim në Itali, themelues i tij, i cili prezantoi qëllimet e këtij aplikacioni inovativ dhe dinamik që favorizon integrimin dhe lehtëson burokracinë, ku oferta dhe kërkesa takohen me mjete efektive që lehtësojnë komunikimin midis palëve, duke reduktuar kohën, kostot dhe duke kapërcyer barrierat gjuhësore pasi ofrohet në 11 gjuhë. Në këtë aplikacion për të gjithë emigrantët në Itali, gjenden të gjitha informacionet dhe mbështetja e duhur për praktikat burokratike në çdo fushë.

Paneli “Përfaqësitë Diplomatike dhe Diaspora: drejt një bashkëveprimi më efikas dhe modern”

Paneli “Përfaqësitë Diplomatike dhe Diaspora: drejt një bashkëveprimi më efikas dhe modern”, i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, mblodhi përfaqësues të lartë shtetëror si edhe përfaqësues të spikatur të Diasporës shqiptare dhe u ndoq me interes nga rreth 370 pjesëmarrës.

Fjalën hapëse të këtij paneli e mbajti MPJ Bushati i cili u ndal në bashkëpunimin e përbashkët konsullor në kuadër të Partneritetit Strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës, i cili po thellohet më tej përmes veprimeve konkrete, siç ishte çelja e Konsullatës së Përbashkët në Mynih, pas asaj të Milanos, si dhe ofrimit të shërbimeve konsullore në Bari, me synimin për të ndjekur këtë praktikë edhe në vendet e tjera me interes të përbashkët. Gjithashtu, Ministri Bushati solli në vëmendje reformën e shërbimeve konsullore, ku veç rritjes së gamës së shërbimeve nëpërmjet aplikimit të teknologjisë dixhitale dhe uljes së çmimeve për shërbimet, me anë të përdorimit të aplikacionit E-Konsullata është rritur ndërveprueshmëria mes MPJ dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut dhe ky bashkëpunim do të njohë një dimension tjetër me zbatimin e Konsullatës dixhitale.

Në këtë panel fokusi primar i diskutimeve u përqendrua tek rritja e bashkëpunimit dhe ndërveprimit me komunitetet kombëtare në botë, ofrimin e shërbimeve konsullore ndaj tyre si dhe për krjimin e një mjedisi më të favorshëm për angazhimin e Diasporës shqiptare në mënyrë më efektive në zhvillimin politik, socio-ekonomik dhe kulturor të vendit, por edhe një bashkëveprim më efektiv, në funksion të ruajtjes dhe fuqizimit të identitetit dhe trashëgimisë sonë jashtë vendit.

Në këtë kuadër u prezantua puna për krijimin e konsullatave të përbashkëta me Kosovën si dhe u prezantua arritja më e fundit e diplomacisë shqiptare në shërbim të ofrimit të shërbimeve ndaj Diasporës shqiptare, aplikacioni E-Konsullata e cila synon të sjellë më afër shqiptarët kudo që ndodhen me anë të shërbimeve të nevojshme për to. Në kuadër të përmirësimit të mëtejshëm të kësaj marrëdhënie dhe shërbimesh siç u bë e qartë dhe në këtë panel, bëhet i nevojshëm vazhdimi i procesit të regjistrimit të Diasporës shqiptare, proces i cili ka filluar tashmë.

Paneli “Organizimi i Diasporës dhe roli i saj në zhvillimin e Atdheut: Eksperienca nga bota”

Paneli “Organizimi i Diasporës dhe roli i saj në zhvillimin e Atdheut: Eksperienca nga bota”, i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, mblodhi përfaqësues të lartë të institucioneve vendase dhe ndërkombëtare dhe rreth 240 pjesëmarrës nga diaspora.

Gjatë panelit u diskutua mbi arritjet e Diasporës në botë dhe rolit të tyre për atdheun në tërësi dhe momente kyçe në veçanti. Gjithashtu, u diskutua rreth formave të bashkëpunimit midis Diasporës shqiptare dhe institucioneve qendrore për të rritur këtë bashkëpunim në të mirë të të dyja palëve. Kjo marrëdhënie e re partneriteti do të krijonte mundësi të reja për bashkëpunimin midis Diasporës shqiptare në vetvete por edhe rritjen e bashkëpunimit me shtetin shqiptar dhe rritjen e investimeve.

Ministri për Diasporën i Kosovës, z. Valon Murati gjatë fjalës së tij në këtë panel, u fokusua në nevojën për transformimin e Diasporës shqiptare si urë lidhëse me investitorët e huaj por edhe ato në Atdhe për të bashkëpunuar me projekte konkrete për zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë kuadër janë organizuar një serë konferencash në vende të ndryshe të Evropës dhe botës pasi investitorët më të përshtatshëm janë ato nga Diaspora, të cilën do shërbejnë dhe si magnet për investitorët e huaj. Më tej, Ministri theksoi se Kosova ka ndërtuar rrjetin e studentëve shqiptar dhe juristive në Diasporë ndërsa synohet që së bashku të realizohet rrjetizimi dixhital i profesionistëve shqiptarë.

Zv. Ministrja e Punëve të Jashtme, znj. Odeta Barbullushi gjatë fjalës së saj theksoi se Samiti i Diasporës kishte si qëllim vendosjen e një ure bashkëpunimi midis Atdheut dhe Diasporës shqiptare por edhe rritjen e ndërveprimit midis vet komuniteteve shqiptare në botë. Gjithashtu, znj. Barbullushi theksoi se me anë të këtij Samiti tashmë Shqipëria ka një database mbi shqiptarët në botë e cila duhet të vazhdoi të pasurohet përgjatë kohës. Ky Samit, shërben edhe për identifikimin e gjërave të cilat institucionet kanë bërë mirë ose jo, dhe së bashku me gjithë aktorët e përfshirë të bëjnë më mirë në të ardhmen. Shqipëria, sipas znj Barbullushi ndonëse një vend unik për nga natyra e Diasporës së saj, nuk është e vetme pasi shtete të tjera me traditë të hershme bashkëpunimi me Diasporat e tyre mund të shërbejnë si model frymëzimi edhe për Shqipërinë.

Paneli “Sipërmarrja e të rinjve – the start up culture”

Paneli “Sipërmarrja e të rinjve – the start up culture”, kishte si synim parësor zhvillimin, nxitjen dhe kultivimin e kulturës së sipërmarrjes tek të rinjtë. Në këtë kontekst, duke pasur parasysh edhe eksperiencat personale të panelistëve, diskutimi u fokusua në gjetjen dhe zbatimin e projekteve konkrete në të mirë të shtetit shqiptar por edhe individit shqiptar.

Në përfundim të diskutimeve u konkludua nevoja për të investuar dhe sjellë kompanitë e Diasporës që operojnë në tregun e start-up ndërkombatarisht në Shqipëri, zbatimi i projekteve të ndryshme inovative në bashkëpunim me kompanitë e zotëruara nga shqiptarë të Diasporës si edhe ofrimi i këshillimit nga këto histori suksesi për zhvillimin e projekteve të ngjashme në Shqipëri.

Konkluzione në fushën e sipërmarrjes:

– Interesi për të investuar dhe sjellë kompanitë e Diasporës që operojnë në tregun e start-up ndërkombëtarisht në Shqipëri (outsourcing);
– Koncepti i Triple Helix si pjesë e strategjive afatgjatë që mund të ndiqen dhe që mund të implementohen që kjo kulturë të zgjerohet në Shqipëri;
– Promovimi i produkteve të ICT dhe “Ditës Shqiptare” në vendet e rrjeteve të zhvilluara të start-up si Silicon Valley, Stockholm, Berlin etj. ;
– Ofrimi me anë të mentorimit, coaching dhe Angel investments të strukturave të reja start-up teknologjike nga ana e Diasporës;
– Përfitime profesionale me anë të programeve të ndryshme me ndihmën e Diasporës që mund të ndodhin në periudha kohore periodike (spill-over effect);
– Fusha e ndërlidhjes të start-up teknologjike është e pakufijë si rrjedhojë bashkëpunimi dhe ndërveprimi është i mundur kurdo;
– Pjesëmarrja më aktive e Diasporës dhe me anën e krijimit të lidhjeve për financime nga firma “Venture Capital” ose “Angel Investors” në vendet e origjinës të Diasporës për produkte ose shërbime me interes global të krijuara në Shqiperi.

Paneli “Të ndërtojmë rrjetin ndërshqiptar të aftësive”

Paneli “Të ndërtojmë rrjetin ndërshqiptar të aftësive” i dedikuar tërësisht Diasporës dhe inovacionit, i organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Inovacionit dhe Administratës Publike, mblodhi panelistë dhe pjesëmarrë që ndanë eksperiencat e tyre personale si dhe dhanë ide konkrete për krijimin e Rrjetit Ndërshqiptar të Aftësive me qëllim për ta bërë këtë lidhje midis shqiptarëve kudo më të fortë.

Gjithashtu, gjatë këtij paneli u konkludua nevoja për krijimin e Hartës së Diasporës Shqiptare për ta njohur atë më mirë dhe inventarizuar  prodhimtarinë shkencore, mbështetjen gjatë procesit të negocimit në Bashkimin Evropian me trajnime të ofruar nga ekipet ku ata punojnë si edhe përdorimi i Platformës së Inovacionit etj.

Konkluzione në fushën e Inovacionit

– Krijimin e Hartës së Diasporës Shqiptare për ta njohur atë më mirë dhe inventarizuar prodhimtarinë shkencore;

– Mbështetje nga shqiptarët e Diasporës në procesin e negocimit në Bashkimin Evropian me trajnime të ofruar nga ekipet ku ata punojnë;

– Përdorimi i Platfornës së Inovacionit, si një mekanizëm institucional, me qëllim krijimin e një database ku të gjithë mund të regjistrohen për të dhënë ide dhe krijuar mundësi bashkëpunimi;

– Zhvillimi i një programi “Professional Exchange” për Diasporën, që do të bëjë të mundur bashkëpunimin midis profesionistëve shqiptarë në SHBA dhe në Evropë me profesionistët shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë.

Paneli “Dija mbi të gjitha: Të ruajmë gjuhën dhe identitetin”

Paneli Dija mbi të gjitha: Të ruajmë gjuhën dhe identitetin” dedikuar mësimit dhe ruajtjes së gjuhës shqipe, përveç panelistëve të përzgjedhur nga shtete të ndryshme me specialitet fushën e arsimit, morën pjesë pjesëmarrës kryesisht mësues të mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë, kryetarë shoqatash të mësuesve, profesorë dhe studiues që punojnë në diasporë.

Fokusi i diskutimeve në këtë panel ishte intesifikimi i përpjekjeve për të miratuar një program të përbashkët për arsimin e gjuhës shqipe në Diasporë, krijimi dhe forcimi i një rrjeti ndërveprues për shkëmbimin e burimeve njerëzore mes universiteteve shqiptare dhe Diasporës. Gjithashtu, fokus të veçantë në këtë panel kishte rritja e mbështetjes ndaj mësimdhënies së gjuhës shqipe për Diasporën shqiptare, sidomos me anë të mbështetjes me materiale për tekstet shkollore.

Konkluzionet në fushën e arsimit:

– Miratimi i një programi të përbashkët për arsimin e gjuhës shqipe në Diasporë;

– Krijimi dhe forcimi i një rrjeti ndërveprues për shkëmbimin e burimeve njerëzore mes universiteteve shqiptare dhe Diasporës;

– Rritja e mbështetjes ndaj mësimdhënies së gjuhës shqipe për Diasporën shqiptare, sidomos me anë të mbështetjes materiale për tekstet shkollore;

– Rritja e bashkëpunimit të studentëve shqiptarë në Diasporë me universitetet në Shqipëri e Kosovë dhe ndërtimi i programeve të përbashkëta të shkëmbimit; krijimi i një banke të dhënash për studiuesit shqiptarë nëpër botë me qëllim bashkëpunimin mes tyre;

– Mësimi i gjuhës shqipe në shkolla ku ka një numër të caktuar nxënësish me origjinë shqiptare si dhe planifikimi i një buxheti të dedikuar për trajnimin e mësuesve shqiptarë, pagesave të tyre, teksteve dhe materialeve si dhe për veprimtari në Diasporë.

Paneli “Kultura, hapësira jonë e përbashkët pa kufi. Arti dhe kultura, pasaporta jonë”

Paneli “Kultura, hapësira jonë e përbashkët pa kufi. Arti dhe kultura, pasaporta jonë”, i organizuar nga Ministria e Kulturës, morën pjesë artistë dhe përfaqësues të artit e kulturës shqiptare jashtë vendit të cilët diskutuan rreth rolit të kulturës dhe domosdoshmërisë së mbrojtjes së trashëgimisë kulturore kombëtare për ta përcjellë atë tek brezat e ardhshëm.

Në përfundim të këtij paneli u dakordsua që duhet të vazhdojë komunikimi midis Këshillit të Diasporës dhe strukturave përkatëse qeveritare (Ministria e Kulturës) në mënyrë të vazhdueshme. Gjithashtu, nga ky panel doli si konkluzion nevoja për të mbështetur dhe promovuar artistët shqiptar kudo që ndodhën për zhvillimin e evenimenteve të natyrës kulturore kombëtare dhe jo vetëm. Në këtë nisëm, përfaqësitë shqiptare në botë do të kenë një rol shumë të rëndësishëm si urë lidhëse për bashkëpunimin midis shtetit shqiptar dhe Diasporës dhe do të kontribuojnë në zhvillimin e këtyre eventeve si dhe promovimit të tyre në vendet ku zhvillohen. Në këtë linjë krijimi i një Kalendari të Njësuar të Aktiviteteve Kulturore të Diasporës do i shërbente këtij qëllimi.

Konkluzione në fushën e Kulturës:

– Trashëgimia kulturore është një potencial i jashtëzakonshëm zhvillimi ekonomik që shqiptarët kudo që janë duhet ta promovojnë;

– Nevoja për disa marrëveshje kulturore, që ndihmojnë artistët dhe komunitetin shqiptar të kenë më shumë lidhje me kulturën e ‘rrënjëve’ dhe përfaqësimin ndërkombëtar

– Angazhimi i Diasporës që të shfrytëzojë të gjitha mundësitë, burimet e mjetet, për të forcuar shpalosjen e vlerave tona kulturore nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, periodike, të bashkërenduara, në mënyrë të veçantë në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike, për të mbështetur dhe plotësuar përpjekjet e Qeverisë në të mirë të mbrojtjes dhe ruajtjes së kulturës e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Paneli “Turizmi shqiptar, realiteti dhe perspektiva”

Paneli “Turizmi shqiptar, realiteti dhe perspektiva” pasqyroi kontributin ekonomik që turizmi sjell në shoqërinë Shqiptare si edhe mbi rolin që mund të luajë Diaspora në zhvillimin e turizmit në Shqipëri dhe mundësitë e bashkëpunimit mes Diasporës dhe qeverisë.

Nga diskutimi u theksua nevoja për angazhimin e Diasporës në projekte konkrete turistike, bashkëpunimi midis autoriteteve shqiptare dhe komuniteteve shqiptare për promovimin e informacioneve turistike mbi Shqipërinë dhë përfshirjen e turizmit si pjesë të diplomacisë shtetërore në të gjithë përfaqësitë nëpër botë. Gjithashtu, në përfundim të këtij paneli i konstatua nevoja për rritjen e cilësë së shërbimeve turistike dhe rritjes së konkurencës me vendet e rajonit.

Konkluzione në fushën e Turizmit:

– Diaspora mund të kontribuojë për turizmin në vend me projekte e angazhime konkrete, nëpërmjet bashkëpunimit me grupe të caktuara të Diasporës, sidomos me rininë dhe studentët, që mund të sjellin eksperiencën e tyre me projekte konkrete.

– Përmirësimi i elementëve të turizmit, si çështja e transportit të turistëve, përmirësimi i infrastrukturës, apo përdorimi i ICT në vitalizimin e muzeve.

– Rritja e bashkëpunimit përsa i përket furnizimit me informacion specifik për Shqipërinë, në mënyrë që Diaspora të promovojë imazhin e Shqipërisë në botë.

– Ngritja e një njesie turistike pranë çdo përfaqësie diplomatike, e cila do të furnizojë me informacionin e nevojshëm për promovimin e vendit.

Paneli “Zhvillimi ekonomik në Atdhe dhe roli i Diasporës”

Paneli “Zhvillimi ekonomik në Atdhe dhe roli i Diasporës” synonte të sillte në vëmendje rolin që Diaspora mund të luajë në zhvillimin ekonomik të vendit. Duke shfrytëzuar kështu faktin që rreth 1/3 e popullsisë ka emigruar dhe se Shqipëria nuk mund të qendrojë pa nxitur dhe stimuluar potencialin e madh kapital dhe njerëzor që ndodhet jashtë kufijve të vendit në mënyrë që të rrisë angazhimin e tyre në zhvillimin ekonomiko-social të vendit përtej kontributit klasik nëpërmjet remitancave.

Në përfundim të këtij paneli u konstatua synimi për të investuar në projekte konkrete në fusha të ndryshme ekonomike në Shqipëri nga ana e Diasporës shqiptare, më anë të lehtësimeve në drejtim të tyre dhe në bashkëpunim institucional dhe me vendet ku jetojnë. Gjithashtu, u theksua krijimi i një platforme njerëzore në Diasporë që do të shërbejë si urë lidhëse për zhvillimin e investimeve konkrete në bashkëpunim me komunitetet shqiptare.

Konkluzionet në fushën ekonomike

– Interesi për të investuar në Zonën Ekonomike të Spitallës;Krijimi i një fondi Investimi;Krijimi i një linje banke “Diaspora Shqiptare”;
– Nxitje dhe promovim i tregtisë dhe produkteve shqiptare;
– Kapitali njerëzor i diasporës “know-how” të evidentohet me krijimin e një banke të dhënash të ekspertëve dhe specialistëve sipas fushave;
– Programe incentivuese për krijimin e lehtësirave për investimet nga diaspora;
– Ftesë për krijimin e një zone ekonomike në Kashar – propozim i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës;
– Hapja e zyrave ekonomike në vendet ku ka prani të konsiderueshme të Diasporës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik të sigurojë informacion për këto zyra;
– Nevoja për krijimin e lidhjeve me universitetet shqiptare dhe profesorëve të Diasporës që të shërbejnë si ura lidhëse dhe për projekte të përbashkëta;
– Të hartohet një program/platformë konkrete për investimet e mundshme nga Diaspora;
– Krijimi i një komunikimi efektiv dhe të sofistikuar me Diasporën;
– Roli i Diasporës – shumë i rëndësishëm për forcimin e besueshmërisë së investitorëve të huaj;
– Krijimi i një rrjeti të sipërmarrësve të Diasporës dhe përfshirja e tyre në nivel më të gjerë;