Project Corner Prezantime

Projekti “E-Konsullata dhe Shërbimi Konsullor Online” u prezantua nga Zëvendës Ministri i MPJ,  Halil Hyseni. Në prezantimin e tij, Zv/Ministri Hyseni theksoi se një nga prioritetet kryesore të MPJ-së është lehtësimi i shërbimeve për publikun, ndaj ai bëri një ekspoze të dy platformave të suskseshme E-Konsullata dhe Sërbimi Konsullor Online (SHKO), të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë në lehtësimin e procedurave konsullore për shtetasit shqiptarë. Në prezantimin e tij, z. Hyseni pohoi se SHKO sjell dixhitalizimin konsullor duke standardizuar formatet dhe dokumentet, rrit transparencën dhe cilësinë e shërbimeve ndërsa ul dhe shkurton tarifat, kohën dhe procedurat për qytetarët shqiptar kudo që ata ndodhën. Gjithashtu, me këtë risi, Ministria e Punëve të Jashtme është në monitorim të drejtpërdrejtë të shërbimeve që u ofrohen qytetarëve, mbikqyr veprimet e Konsujve në përfaqësitë e RSH-së në botë, ndërsa garanton shërbimin për qytetarët me anë të ndërveprimit dhe komunikimit në kohë reale.

Projekti “Strategjia për Diplomacinë Publike dhe Diasporën” u prezantua nga Avdyl Lipoveci, Drejtor i Departamentit për Ruajtjen e Identitetit në Ministrinë e Diasporës në Kosovë. Ai theksoi se Ministria e tij në kuadër të mbështetjes së investimeve, ka kryer disa hulumtime për rrjetëzimin e bizneseve, ka hapur zyra koordinimi dhe panaire, si dhe është krijuar baza e të dhënave për bizneset. Gjithashtu, së bashku me Republikën e Shqipërisë janë hapur 3000 vende për praktikë,  shkolla verore, vende pune në institucionet qëndrore dhe lokale si dhe kampe për të rinj ku më shumë se 500 të rinj kanë marrë pjesë. Përveç këtyre, ai bëri me dije se në të ardhmen synohet rrjetizimi i profesionistëve, ri-integrimi i Diasporës së kthyer si dhe ruajtja e gjuhës dhe kulturës.

Projekti “Dialog i Strukturuar mes Diasporës dhe Institucioneve”, i prezantuar nga  Liza Gashi, themeluese e rrjetit Germin, e cila vuri theksin mbi qëllimet dhe arritjet e këtij rrjeti në shërbim të Diasporës. Sipas saj, ky rrjet ka si qëllim të krijojë një rrjet të strukturuar të anëtarëve të Diasporës që janë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre shoqërore dhe politike, të krijojë mekanizma për përfshirjen e Diasporës në proceset politikëbërëse si dhe të fuqizojë anëtarët e Diasporës për të marrë pjesë në këto procese. Në këtë linjë, rrjeti Germin organizon Grupe të Diasporës për Avokim, konferenca dhe nxjerr publikime.

“Studimi i CID/Harvard mbi investimet” u prezantua nga Ermal Frashëri, përgaqësues  i Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar në Universitetin e Harvard-it, i cili bëri një ekspoze të një studimi të Harvard-it mbi shqiptarët e Amerikës. Ndër të tjera, ai bëri një përmbledhje të vlerësimit social të shqiptarëve në SHBA, ndërsa theksoi se ky sukses i shqiptarëve aty duhet të shfrytëzohet me strategji konkrete dhe angazhimin e institucioneve qendrore. Sipas studimit të prezentuar, shqiptarët e SHBA-ve janë të lidhur ngushtësisht me kombin shqiptar, një pjesë shumë e madhe janë të gatshëm të angazhohen vullnetarisht për projekte për Diasporën shqiptare dhe një pjesë e mirë e atyre janë të gatshëm për të investuar në Shqipëri nëse i sigurohet një ambjent më i sigurt dhe i qendrueshëm për investimin e tyre.

“Projekt-Dokumenti Kuadër mbi Angazhimin e Diasporës në Zhvillimin e Vendit”, projekt i përbashkët i MPJ me Organizatën Ndërkombëtare të Migracionit, u prezantua nga Drejtori i Përgjithshëm i Çështjeve Politike dhe Strategjike në MPJ, z. Ferit Hoxha dhe përfaqësuesja e IOM-t në Shqipëri, znj. Alma Jani, të cilët bënë një përmbledhje të dokumentit dhe objektivave kryesorë në mbështetje të strukturimit të angazhimit të diasporës në zhvillimin e vendit. Më specifikisht, Shqipëria në bashkëpunim me IOM-në ka hartuar Dokumentin Politik Kuadër për angazhimin e komuniteteve shqiptare jashtë vendit për zhvillimin e Shqipërisë. Qëllimi i këtij Dokumenti është që pas studimit të Diasporës shqiptare dhe gatishmërisë për të kontribuuar konkretisht në Shqipëri, me mbështetje nga donatorë, nisma relevante të realizohen për transferimin e aftësive dhe njohurive, mbështetjen për të rinjtë në hapje biznesesh, investimin në distancë dhe rritje kapacitetesh të strukturave të qeverisë.

Aplikacioni  “Infostranieri”, u prezantua nga Bashkim Sejdiu, përfaqësues i Diasporës nga Presheva me banim në Itali, themelues i tij, i cili prezantoi qëllimet e këtij aplikacioni inovativ dhe dinamik që favorizon integrimin dhe lehtëson burokracinë, ku oferta dhe kërkesa takohen me mjete efektive që lehtësojnë komunikimin midis palëve, duke reduktuar kohën, kostot dhe duke kapërcyer barrierat gjuhësore pasi ofrohet në 11 gjuhë. Në këtë aplikacion për të gjithë emigrantët në Itali, gjenden të gjitha informacionet dhe mbështetja e duhur për praktikat burokratike në çdo fushë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *